
Kryeministri shqiptar thotë se hekurudha Durrës–Prishtinë mbetet prioritet dhe nuk përjashton mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët mes dy qeverive.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës do të vazhdojë, duke konfirmuar se e ka uruar personalisht Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe rikonfirmimin e tij si kryeministër.
Në konferencën e fundit për gazetarë në fundvit, Rama nuk e përjashtoi mundësinë e mbajtjes së një mbledhjeje të përbashkët mes dy qeverive, duke kujtuar se takime të ngjashme janë mbajtur edhe më herët, përfshirë ato mes parlamenteve, të cilat këtë vit nuk u zhvilluan për shkak të procesit zgjedhor.
“Nuk e di, do të flasim dhe do të vendosim. Do të ishte mirë të kishim një mbledhje mes dy qeverive. Albin Kurti u rikonfirmua si kryeministër dhe i kam bërë urimet edhe personalisht. Ne do të vazhdojmë punën”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se një nga projektet më të rëndësishme të bashkëpunimit mbetet hekurudha Durrës–Prishtinë, të cilën e cilësoi si “xhevahirin e kurorës”, duke shtuar se do të bëhen përpjekje maksimale për ta çuar projektin deri në fazën e financimit.
Rama bëri të ditur se e ka uruar Kurtin edhe një ditë më parë për rezultatin zgjedhor, duke riafirmuar vullnetin për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.



