Kurti rendit 10 lajmet më të mira të vitit 2025 për Kosovën

Kryeministri thotë se viti po mbyllet me arritje të rëndësishme për qytetarët dhe shtetin, pavarësisht sfidave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se viti 2025 po përmbyllet me shumë lajme të mira për vendin dhe qytetarët, pavarësisht sfidave me të cilat është përballur qeverisja gjatë këtij viti.

banner

Në një përmbledhje të publikuar në fundvit, Kurti ka renditur 10 arritjet kryesore të vitit 2025, duke theksuar përmirësime në mirëqenie sociale, siguri, diplomaci, shëndetësi, arsim dhe ekonomi.

Sipas tij, ndër zhvillimet më të rëndësishme janë rritja e ndjeshme e shtesave për nënat lehona dhe pagesës së pushimit të lehonisë nga Qeveria, si dhe rritja e pensionit bazik në 150 euro. Në fushën e sigurisë, Kurti veçoi forcimin e ushtrisë me pajisje moderne ushtarake, përfshirë dronë amerikanë Puma, dronë luftarakë turq Skydagger dhe sistemin antitank gjerman Panzerfaust 3.

Në planin ndërkombëtar, ai përmendi katër njohje të reja për Kosovën, forcimin e pasaportës në indekset ndërkombëtare dhe heqjen e masave të Bashkimit Evropian. Po ashtu, u theksua ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, një për këmbësorë dhe një për qarkullim të automjeteve.

Kurti nënvizoi edhe përurimin e Depos Qendrore të Barnave pas më shumë se 20 vjetësh, anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në EQAR pas përjashtimit në vitin 2018, si dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, me 202 milionë dollarë grant nga Shtetet e Bashkuara për investime në sektorin e energjisë.

Në listën e arritjeve përfshihet edhe lansimi i Bursës së Mobilitetit për Studentë, si mbështetje e parë e këtij lloji për studentët që ndjekin studimet jashtë vendit, si dhe largimi i Kosovës nga listat e FMN-së dhe Bankës Botërore të shteteve në situata të brishta dhe konflikti.

“Këto janë dëshmi se Kosova po ecën përpara me hapa të sigurt”, ka theksuar Kurti, duke e cilësuar vitin 2025 si një vit me rezultate konkrete për qytetarët dhe shtetin.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.