
Sipas drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, situata e sigurisë në veriun e Kosovës është e brishtë. Derisa kriminelët e sulmit në Banjska mbrohen nga pushteti në Serbi, vazhdoi ai, ekziston rreziku që ata të sulmojnë në të ardhmen kufijtë e vendit.
Në intervistën për KosovaPress, Hoxha thotë se “nuk përjashtohen mundësia për sulme të tjera terroriste”, teksa shton se brenda kufijve ka ende grupe të cilat nga Kosova janë shpallur struktura ilegale.
“Aktualisht situata vazhdon të jetë e qetë, por në veriun e Kosovës është e brishtë. Për shkak që ne kemi një numër të madh të personave të cilët kanë qenë të përfshirë në rastin e Banjskës e të cilët janë ikur në Serbi edhe mbrohen nga pushteti aktual. Andaj derisa ata nuk dhënë llogari për veprat që i kanë bërë, gjithmonë është potencial rreziku që ata nesër pasnesër do të mund të sulmojnë vendin tonë, sulmojnë kufijtë tonë, sulmojnë policinë tonë apo institucionet tona që veprojnë në atë vend….Situata vazhdon të jetë e qetë aktualisht, mirëpo ne duhet të jemi të kujdesshëm sepse mund të ketë edhe ndonjë problem në të ardhmen që mund të vijë përtej kufijve. Përbrenda kufijve akoma ka ndonjë individ, disa mbeturina, grupe që kanë mbetur të këtyre strukturave të cilat shteti i Kosovës i ka shpallur si struktura ilegale dhe po ashtu struktura terroriste, e që të cilët me shumicë janë larguar nga Kosova, po kanë akoma individë me të cilët kohë pas kohe i dirigjojnë për të kryer sulme apo për të kryer akte kundër interesave tona në veri të vendit”, deklaron Hoxha.
Derisa deklaron se në veri situata është më e mirë se më herët, Hoxha po ashtu thekson se janë në koordinim edhe me partnerë tjerë të sigurisë.
“A mund të ketë sulme të tjera? Nuk përjashtohet kjo mundësi. Ajo çfarë mund t’ju garantoj është që ne kemi një kontroll të mirë në veriun e Kosovës, kemi një bashkëpunim dhe shtrirje të mirë gjithandej në veri të vendit dhe kemi kapacitete të shumëfishuara të Policisë së Kosovës me qëllim të ballafaqimit me çfarëdo sulmi që mund të jetë. Domethënë, ne kemi kapacitete, kemi informacione, kemi inteligjencë, kemi një koordinim të mirë me bashkësinë ndërkombëtare, në këtë rast me KFOR-in dhe EULEX-in. Kemi një koordinim të mirë me partnerë të tjerë të sigurisë, kemi një koordinim të mirë me Agjencinë Kosovare për inteligjencë, me të cilët shkëmbejmë në baza ditore, javore informacione që ndërlidhen me kërcënimet ndaj sigurisë tonë, e posaçërisht në veri të vendit. Kështu që koordinimi është i mirë, vullnetin dhe motivin policët tanë e kanë shumë të lartë, janë të pajisur me pajisjet e nevojshme që i duhen për të kryer detyrën atje. E pastaj urojmë që të mos kemi telashe, por nëse ka do të jemi të gatshëm t’i dalim ballë çdo sfide, çdo problemi që mund ta kemi përpara”, shton Hoxha në këtë intervistë.



