
Komunat e Fushë Kosovës, Drenasit dhe Malishevës kanë vendosur që të shtyjnë fillimin e procesit mësimor edhe për disa ditë. Ky vendim tashmë është publikuar zyrtarisht dhe shkaku i shtyrjes së fillimit të procesit mësimor janë vërshimet e ditëve të fundit, që kanë shkaktuar edhe dëme, edhe bllokim të pjesëve të ndryshme të këtyre komunave.
Në një njoftim për publikun, Komuna e Fushë Kosovës theksoi se si pasojë e gjendjes aktuale të kushteve atmosferike, shtyhet gjysmëvjetori i dytë.
“Drejtoria për Arsim në Komunën e Fushë Kosovës njofton se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shtyhet deri më datën 19.01.2026. Ky vendim është marrë si pasojë e gjendjes aktuale të shkaktuar nga kushtet atmosferike, ku reshjet e shiut dhe borës kanë vështirësuar edhe qarkullimin. Si dhe duke marrë parasysh vështirësitë në sigurimin e ngrohjes në disa institucione arsimore” – ka shkruar Komuna e Fushës Kosovës.
Të njëjtën arsye e dha edhe Komuna e Malishevës, duke cekur situatën e rënduar në terren përgjatë gjithë komunës.
E fundit që e mori të njëjtin vendim ishte Komuna e Drenasit, që drejtohet nga Ramiz Lladrovci.
“Për shkak të rrethanave të krijuara nga vërshimet, bora, ngricat dhe mungesa e ujit të pijes në disa pjesë të komunës, Kryetari i Komunës së Drenasit ka marrë vendim që të pezullohet vijimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor dhe shkollor.
Procesi mësimor shtyhet deri të mërkurën, më 14.01.2026” – ka njoftuar Komuna e Drenasit.



