
Safet Kamberi nga LDK merr 18 vota dhe emërohet kryesues i Kuvendit Komunal.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut nga Lista Guxo, Faton Peci, ka arritur marrëveshje koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për udhëheqjen e kësaj komune, shkruan Reporteri.net.
Në seancën urgjente të mbajtur sonte, Safet Kamberi nga LDK u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut. Ai mori 18 vota për, 10 kundër, ndërsa dy vota u shpallën të pavlefshme.
Kamberi ishte kandidati i vetëm për këtë pozitë dhe u votua nga asambleistët e LDK-së, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.
Pas zgjedhjes në postin e kryesuesit të Kuvendit, Kamberi njoftoi se nesër, në ora 10:00, do të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit Komunal.
Kujtojmë se 11 dhjetori ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal, si dhe për betimin e anëtarit Arian Tahiri nga PDK-ja. Për këtë arsye ishte thirrur një mbledhje urgjente në orën 21:30.
Fillimisht, kjo mbledhje ishte paraparë të mbahej nesër në ora 10:00, por sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve nga betimi i kryetarit të komunës, çka e bëri të domosdoshme mbajtjen e seancës urgjente.



