
Kreu i AAK-së kujton bashkëpunimin me Presidentin historik në ditët e para të lirisë së Kosovës.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke shprehur respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme për kontributin e tij shtetformues.
“Me Presidentin Dr. Ibrahim Rugova pata nderin të bashkëpunoj në ditët e para të lirisë, në një periudhë vendimtare dhe jashtëzakonisht të ndjeshme të shtetndërtimit,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai theksoi se sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, figura e Rugovës kujtohet me respekt të veçantë për vizionin e tij politik dhe shtetformues. Haradinaj vlerësoi rolin e Rugovës në forcimin e lidhjeve me Perëndimin, duke theksuar se ai kultivoi miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, këto veprime i paraprinë pavarësisë së Kosovës dhe vazhdojnë të mbeten themel i vizionit shtetëror të vendit. “Trashëgimia e Presidentit Rugova mbetet udhërrëfyes për rrugëtimin tonë drejt konsolidimit të shtetit dhe forcimit të partneritetit me aleatët tanë strategjikë,” përfundoi Haradinaj.



