
Kryeministri britanik zhvillon vizitën e parë në Kinë pas tetë vitesh, synon forcimin e partneritetit strategjik dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka deklaruar se është “jetike” ndërtimi i një “marrëdhënieje më të sofistikuar” me Kinën, gjatë vizitës së tij katërditore në Pekin, e para nga një udhëheqës britanik në këtë vend pas tetë vitesh.
Sipas raportimit të CNN, vizita vjen në një kohë kur Londra synon të riparojë lidhjet e tendosura me ekonominë e dytë më të madhe në botë, mes tensioneve globale dhe pasigurisë në politikën e jashtme të aleatit kryesor, Shteteve të Bashkuara.
“Kina është një aktor jetik në skenën globale dhe është jetike që ne të ndërtojmë një marrëdhënie më të sofistikuar”, i tha Starmer presidentit kinez Xi Jinping gjatë takimit në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin.
Ai theksoi se partneritetet ndërkombëtare janë thelbësore për sigurinë dhe prosperitetin e qytetarëve britanikë, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar dhe Kina kanë nevojë për një partneritet strategjik afatgjatë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Nga ana tjetër, Xi Jinping u shpreh se Kina është e gatshme të zhvillojë një “partneritet strategjik të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës” me Britaninë dhe bëri thirrje që të dy vendet të krijojnë një “vrull të ri” në marrëdhëniet dypalëshe.
Starmer është i fundit në mesin e disa udhëheqësve nga vendet aleate të SHBA-së që kanë udhëtuar drejt Pekinit, ndërsa kërcënimet për tarifa dhe politika e paparashikueshme e presidentit amerikan Donald Trump po ndikojnë në riformësimin e partneriteteve tradicionale të Uashingtonit.
Pas takimit me Xi, Starmer e cilësoi bisedën si “shumë të mirë dhe konstruktive, me rezultate reale”, duke theksuar mundësitë e mëdha për bizneset britanike në tregun kinez. Ai tha se janë bërë përparime në uljen e tarifave për uiskin britanik dhe në lehtësimin e udhëtimit pa viza, ndonëse detajet mbeten ende për t’u finalizuar.
Në delegacionin britanik marrin pjesë rreth 60 biznese dhe grupe kulturore, përfshirë kompani të mëdha si HSBC, GSK dhe Jaguar Land Rover, ndërsa vizita pritet të vazhdojë edhe në Shangai, qendrën financiare të Kinës.



