
Dy nënkryetaret e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje dhe Vlora Çitaku nga PDK-ja, janë përfshirë në një debat publik rreth qëndrimeve të partive shqiptare për Listën Serbe.
Çka ndodhi?
Haxhiu ka qenë e para që lëshoi një insinuatë ndaj ish-opozitës, duke sugjeruar se Lista Serbe mund të ketë informata kundër tyre. Ajo tha se kjo është arsyeja pse ish-opozita nuk po reagon kundër Listës Serbe:
“Qëndrimi i heshtur i opozitës kundrejt listës serbe nuk arsyetohet ndryshe, përvec se nëse lista serbe ka informacione për individë brenda subjekteve opozitare por nuk i nxjerrë ato, pra i shantazhon”, deklaroi Haxhiu në Kanal10.
Kundërakuza
Reagimi ndaj këtij komenti erdhi nga nënkryetarja tjetër, Vlora Çitaku, e cila i është drejtuar Haxhiut duke thënë se Lista Serbe nuk ka mundësi të shantazhojë, pasi sipas saj, partitë opozitare nuk kanë bërë kurrë marrëveshje të fshehta me ta.
Çitaku përmes një postimi në Facebook theksoi se qëndrimi i tyre është parimor dhe në mbrojtje të rendit kushtetues.
“Albulenë, Lista Serbe nuk ka si të na shantazhojë, sepse ne nuk kemi bërë kurrë marrëveshje të fshehta e të ndyra me ta, as kundër veteranëve, as pazare të dështuara për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Qëndrimi ynë është parimor, në mbrojtje të rendit kushtetues, të cilin ju e sfidoni pa fund. Ju mund të provoni ta relativizoni të vërtetën, por nuk mund ta fshini. Jeni ju që keni lidhur paktet e turpit dhe keni rrënuar besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit. Në mungesë të shumicës për të ndërtuar qeverinë, po bëni taktizime fëminore”.



