
Halil Geci, anëtar i Partisë GUXO, ka njoftuar në lidhje me gjendjen shëndetësore të Gani Gecit, ish-deputet i LDK-së, i cili gjendet i parabugosur për shkak të veprës penale kanosje ndaj Lirim Mehmetajt, gazetar dhe analist.
Geci ka njoftuar se vëllait i tij, pra Ganiu, ka probleme me tensionin e gjakut.
Në një postim në Facebook, Geci ka njoftuar se Spitali i Pejës po punon intensivisht për këtë situatë.
Postimi i plotë:
FALËNDERIM DHE INFORMIM PËR OPINIONIN PUBLIK
Të dashur miq,
Në emër të familjes Geci, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë të sinqertë për stafin e Burgut të Pejës, për kujdesin e treguar, reagimin profesional dhe angazhimin institucional në këtë situatë shqetësuese.
Dëshirojmë ta informojmë opinionin publik mbarëshqiptar se vëllai ynë, Gani Geci, më 20.10.2026, rreth orës 15:00, gjatë një matjeje rutinore të tensionit të gjakut, ka rezultuar me një rënie drastike të tij, në vlerat 60 me 40, pa shfaqur asnjë simptomë paraprake.
Aktualisht, stafi mjekësor i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës po punon intensivisht dhe pa ndërprerje për të identifikuar shkaqet e kësaj rënieje të rëndë të tensionit të gjakut, e cila, sipas informatave që kemi, ka ndodhur pa shenja apo simptoma paraprake.
Në këto momente të vështira, familja jonë vlerëson lart përkushtimin, profesionalizmin dhe kujdesin e të gjithë atyre që po angazhohen për shëndetin dhe mirëqenien e vëllait tonë.
Me respekt dhe mirënjohje,
Familja Geci



