Kancelari gjerman: Dialogu Prishtinë – Beograd po e mban peng rajonin

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka bërë thirrje që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos mbeten të bllokuara në të kaluarën, duke paralajmëruar se retorika përçarëse dhe polarizimi nuk ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë evropiane. Sipas Merzit, mosprogresi në dialogun Prishtinë – Beograd po e mban peng të gjithë rajonin, duke bërë thirrje që urgjentisht të ketë përparim, shkruan KOHA.

Në fjalimin hapës të Samitit të Procesit të Berlinit, Merz ka theksuar se, nëse synohet një e ardhme më e mirë për brezat e rinj, vendet e rajonit duhet t’i shmangin gjuhën e urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, duke aluduar te Serbia dhe homazhet e saj për Ratko Mlladiqin. 

“Retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje nuk mund të na çojnë drejt një Evrope më prosperuese, dhe historia nuk do ta vlerësojë mirë këtë shoqëri në këto kohë komplekse. Në vitin 2008, Procesi i Berlinit refuzoi përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i hedhim benzinë atij zjarri, por duhet t’i përmbahemi bazës evropiane. Kjo ka të bëjë edhe me normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë–Beograd, që po pengon përparimin e të gjithëve. Ne inkurajojmë urgjentisht përgjegjësi dhe përparim në këtë drejtim”, ka thënë Merz.

Ai ka shtuar se retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje e vështirësojnë realizimin e përfitimeve që sjell bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian.

Merz ka theksuar se qasja në Bashkimin Evropian është një synim i arritshëm nëse vendet e rajonit janë të vendosura të zbatojnë reformat e nevojshme. Sipas tij, ndryshimi duhet të vijë nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa suksesi varet nga bashkëpunimi mes tyre.

Ai ka përmendur përparimin e arritur gjatë 12 vjetëve të Procesit të Berlinit në fushën e lëvizjes së lirë, investimeve, turizmit dhe shërbimeve digjitale, duke vënë në pah rëndësinë e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal.

“Qasja në BE është realiste nëse jeni të vendosur. Ia vlen të bëhen të gjitha përpjekjet. Rajoni është në lëvizje dhe ka mundësi për ndryshim, por ky ndryshim duhet të vijë nga brenda vendit dhe nga brenda rajonit. Kjo është një nga idetë themelore të Procesit të Berlinit: ta sjellë Ballkanin Perëndimor në tryezë, të kërkojë reforma brenda vendeve dhe të nxisë bashkëpunimin ekonomik dhe pajtimin. Ju do të jeni të suksesshëm vetëm nëse punoni së bashku. Për 12 vjet, kemi arritur të avancojmë mobilitetin, investimet, turizmin dhe shërbimet digjitale. Kjo mund të tingëllojë si diçka e vogël, por nuk është e tillë. Kjo do të thotë se një dentist nga Shkupi mund të punojë në Tiranë ose një kompani nga Novi Sadi mund të hapë një degë në një vend tjetër. Pra, një treg i përbashkët rajonal është më i mirë sesa një treg i kufizuar në një vend të vetëm”, ka thënë ai. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.