
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës si dëshmitar në rastin e kanosjes ndaj tij nga ish-sekretari i OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku.
Megjithatë, Kurti nuk ishte paraqitur kur Prokuroria e kishte ftuar si dëshmitar në hetimet lidhur me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për rezervat shtetërore.
Ky veprim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka acaruar opozitën, e cila ka reaguar duke e kritikuar për qëndrimin selektiv ndaj ftesave të organeve të drejtësisë.
Lidhur me këtë ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Çitaku përmes një postimi në Facebook ka thënë Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka shkruar në Facebook se Kurti paraqitet për të dëshmuar kundër Faton Klinakut, mirëpo nuk shkon në Prokurori për t’u përgjigjur për aferën milionëshe me rezervat shtetërore.
“Kurti paraqitet për të dëshmuar kundër Faton Klinakut, mirëpo nuk shkon në Prokurori për t’u përgjigjur për aferën milionëshe me rezervat shtetërore”, ka shkruar Çitaku.
Nga ana tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka shkruar se kur Gjykata Kushtetuese, gjykatat e rregullta ose Prokuroria vendosin në favor të Kurtit dhe Vetëvendosjes, ato menjëherë lavdërohen si mbrojtëse të ligjshmërisë dhe rendit në Republikë. Ndërkohë, kur të njëjtat institucione nxjerrin vendime që kundërshtojnë interesat e Kurtit dhe VV-së, ato menjëherë shpallen të korruptuara, të politizuara, të manipuluara, madje edhe si vegla të Serbisë.
“Prokuroria konsiderohet e pavarur dhe e drejtë vetëm kur merret me rastin “Pronto”, ndërsa kur trajton aferën “Zdravo” të dyshes Kusari-Radojiçiq, diskreditimi është i menjëhershëm. Sot, deputeti Kurti u shfaq në gjykatë si viktimë, në një rast të kanosjes. Veç paramendoni makinerinë e Kurtit dhe VV-së dhe sa kërcënime e kanosje u kanë bërë të tjerëve! Deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale”, ka shkruar Bajrami.
Tutje, Bajrami tha se Kurti e sheh drejtësinë si një “tavolinë suedeze” “merr çka i duhet dhe refuzon çka nuk i pëlqen”, duke injoruar thirrjet për të dëshmuar për aferën e rezervave shtetërore.
Edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, duke theksuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk po paraqitet në gjykatë për rastet e dyshuara korruptive, por vetëm për ato që lidhen me kanosje ndaj tij.
“Kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv, ai nuk paraqitet. Në vend të kësaj, i fyen dhe i përçmon zyrtarët e drejtësisë, duke e diskredituar shtetin në sytë e qytetarëve dhe të aleatëve. Por, kur organet e drejtësisë e thërrasin për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij, ai paraqitet aty pa asnjë problem, duke u viktimizuar. Ky nuk është Kryeministri që i duhet Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.



