Netanyahu: Një sulm ndaj Izraelit do të ishte “ndoshta gabimi më serioz” në historinë e Iranit

Nëse Irani e sulmon Izraelin, një gjë e tillë do të ishte “ndoshta gabimi më serioz në historinë e tyre”, paralajmëroi të hënën në mbrëmje kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke kërcënuar me kundërpërgjigje dërrmuese ndaj ndonjë agresioni.

Duke folur në atë që njihet si debati i 40 nënshkrimeve në Kuvendin e Izraelit, Netanyahu pohoi se vendi i tij nuk ka qenë kurrë më i fortë se tani dhe se “pakti [i Izraelit] me Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë kurrë më i ngushtë”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

banner

Debati i 40 nënshkrimeve është mundësi mujore e deputetëve që ta detyrojnë kryeministrin për të folur e për t’iu përgjigjur kundërshtarëve, pasi ata t’i kenë siguruar nënshkrimet e nevojshme. Debati i së hënës u thirr për t’i kritikuar politikat e Netanyahut në fushën e sigurisë.

Në fjalimin e tij, kryeministri pohoi se lidhjet e tij me presidentin amerikan, Donald Trump, si dhe ato mes ushtrive të Izraelit e ShBA-së nuk kanë qenë kurrë më të mira. Sidoqoftë, ai paralajmëroi se “jemi në kohëra shumë komplekse dhe sfiduese”.

“Po i mbajmë sytë hapur dhe po qëndrojmë të përgatitur për çfarëdo skenari. Unë ia bëra të qartë regjimit të Ayatollahut se nëse ata e bëjnë gabimin ndoshta më serioz në historinë e tyre dhe e sulmojnë Izraelin, ne do të kundërpërgjigjemi me një forcë që ata nuk mund ta imagjinojnë” – paralajmëroi Netanyahu.

Komentet e tij erdhën katër ditë pasi Trumpi e paralajmëroi Iranin se duhet të arrijë një marrëveshje për programin e vet bërthamor, në të kundërtën do të ndodhin “gjëra të këqija”.

Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, raportoi të dielën se kreu i Shtëpisë së Bardhë është duke shqyrtuar një sulm të kufizuar ndaj Iranit në të ardhmen e afërt për t’i bërë presion Teheranit që të pajtohet me kërkesat e tij rreth programit bërthamor.

Në raport thuhet se nëse Irani do të vazhdonte që të këmbëngulte, sulmi i kufizuar do të pasohej nga një fushatë ushtarake shumë më e madhe më vonë këtë vit, që për objektiv do ta kishte ndërrimin e pushtetit në Iran./Nacionale

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.