
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar të kritikojë dhe të ironizojë kretarin e Kuvendit, Dimal Bashën, pavarësisht faktit se për vite me radhë vetë PDK-ja dhe përfaqësuesit e saj kanë qenë objekt bullizmi dhe kritikash, sidomos për mënyrën e të folurit, mungesën e edukimit dhe çështje të ngjashme.
Sot, gjatë një interviste, deputeti i PDK, Nait Hasani, ka kritikuar vendimin e PDK-së për të mbështetur Dimal Bashën në zgjedhjen e tij si kryetar i Kuvendit. Hasani e ka cilësuar këtë vendim si një nga gabimet më të mëdha politike të partisë, duke vënë në pikëpyetje strategjinë dhe zotimet publike të PDK-së lidhur me mbështetjen e kandidatëve.
Sipas Hasanit, PDK-ja ishte bllokuar nga zotimi publik se do të përkrahte çdo kandidat që nuk kishte qenë pjesë e ekzekutivit, një premtim që, sipas tij, i bëri peng të vetvetes.
“Kur erdh momenti që e qitën Dimalin, një deputet që ishte po ashtu paragjykues, përçarës gjatë gjithë mandatit të kaluar si deputet,” tha Hasani.
Ai theksoi gjithashtu momentin kur Arbërie Nagavci lexoi biografinë e Dimal Bashës, duke treguar se kjo shkaktoi reagime ironike dhe të qeshura në sallë, madje edhe nga deputetët e Vetëvendosjes.
“Në momentin që ka dalë Arbërie Nagavci dhe ia lexoi biografinë, të gjithë filluan të qeshnin në sallë nga ironia, nga mospërfillja, nga një veprim që ishte i papërshtatshëm si kandidat vetëm ‘hajt ta qesim’. Edhe vet VV-ja nisi të qeshte,” shtoi Hasani.
Sipas tij, PDK-ja ra në një kurth politik me vendimin për të mbështetur cilindo kandidat që propozohej. “PDK-ja ra në këtë kurth duke thënë se ‘do ta votojmë secilin që del’. E ka bërë gabim më të madh të mundshëm. Gabimi më i madh dhe më i rëndë politik është ky,” deklaroi Hasani në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.



