
Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidati i VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka artikuluar një akuzë të re ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.
Në një intervistë për gazetën Lajm, Mexhiti pohoi se në periudhën kur ish-kryeministri Nikolla Gruevski u arratis nga vendi, policia kishte ndaluar për 24 orë automjetin e Ahmetit, me dyshimin se ai mund të ishte përdorur në largimin e Gruevskit.
“Vetura e Ali Ahmetit ka qëndruar një ditë të tërë në stacion policor, sepse dyshohej se Gruevski kishte ikur me të. Kjo është një e vërtetë që shumë shpejt do të dalë e plotë para opinionit,” deklaroi Mexhiti.
Ai e cilësoi këtë rast si një nga skandalet më të mëdha, që sipas tij, zbulojnë lidhjet e dyshimta të pushtetit të atëhershëm me arratisjen e Gruevskit në Budapest. Mexhiti theksoi se qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën e plotë mbi ngjarjet që kanë ndodhur pas prapaskenave.



