
Ministri i Brendshëm i Serbisë diagnostikohet me pneumoni të dyfishtë, mjekët: 72 orët e ardhshme vendimtare.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, është dërguar urgjentisht në Qendrën Klinike në Beograd për shkak të problemeve serioze shëndetësore dhe është vendosur në repartin e pulmologjisë.
Sipas raportimit të Danas, ai po merr trajtim në terapi intensive dhe është i lidhur me aparate për frymëmarrje, pasi i është diagnostikuar pneumoni e dyfishtë, përkatësisht infeksion në të dy mushkëritë.
Mjekët kanë bërë të ditur se gjendja e tij është shumë e rëndë dhe se po bëhet gjithçka për stabilizimin e tij. Sipas tyre, 72 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë zhvillimin e mëtejmë të gjendjes, ndërsa për momentin është ende herët për një parashikim.
Daçiq kishte pasur probleme shëndetësore edhe ditët e fundit, çka kishte bërë që të mungonte në disa angazhime politike.



