
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë pretendimet e disa mediave italiane lidhur me shitjen e ishullit të Sazanit. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në TV Klan, Rama theksoi se ishulli mbetet pronë shtetërore dhe e qytetarëve shqiptarë. Ai sqaroi se qeveria është në bisedime me një grup investitorësh për zhvillimin e ishullit, por theksoi se ende nuk ka një marrëveshje të finalizuar.
“Ishulli i Sazanit është pasuri e shtetit dhe e popullit shqiptar. As nuk është shitur dhe as nuk do të shitet asnjëherë. Ne do të jemi partnerë me kompaninë që do të investojë aty”, deklaroi Rama.
Ai bëri të ditur se negociatat për projektin janë ende në proces dhe nuk është arritur ende një marrëveshje përfundimtare për zhvillimin e zonës.
Sipas Ramës, projekti për Sazanin është në fazën e projektimit, ndërsa bëri një ndarje të qartë nga rasti i Zvërnecit, duke e cilësuar atë si një “histori private” pa lidhje me këtë proces.
“Ata kanë bërë një punë dhe është për të ardhur keq mënyra si është interpretuar nga mediat ndërkombëtare ky proces qysh në fillim. Është paraqitur si një histori politike. Ndërkohë që kur unë kam takuar Jared-in dhe ne kemi filluar të punojmë për këtë gjë, Donald Trump-i nuk dihej a do shkonte në Shtëpinë e Bardhë, apo do të shkonte në burg? Nuk ka lidhje fare me politikë kjo. Për mua ata kanë qenë investitorë amerikanë dhe janë investitorë amerikanë siç janë të gjithë amerikanët”, theksoi Kryeministri.



