
Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë të ditur se babai i saj ka vendosur të mos pranojë më kujdes mjekësor nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ajo ka treguar se Krasniqi ia ka komunikuar vendimin gjatë një bisede telefonike, një muaj pasi u dënua me 25 vjet burgim.
“Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, citohet t’i ketë thënë Krasniqi së bijës.
Gresa Krasniqi ka thënë se vendimi i të atit e ka shqetësuar, duke theksuar se ai ndodhet në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë.
“Por, si njeri që i kam kaluar 30 vitet e jetës sime duke e njohur dashurinë dhe lirinë, a mund ta detyroj një njeri tjetër, i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij me sakrifica dhe që, me këtë dënim të fundit, pritet të kalojë mbi 35 vjet në burgje, t’i përshtatet një sistemi që i ka sjellë vetëm vuajtje dhe padrejtësi?”, ka shkruar ajo.
Ajo ka pyetur se si mund t’i kërkojë babait të saj ta pranojë kujdesin e institucioneve nga të cilat, sipas saj, ai ndihet i tradhtuar.
“Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte? U ndjeva aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë”, ka shkruar Krasniqi.
Në fund, ajo ka treguar se gjatë telefonatës ka mundur t’i thotë vetëm disa fjalë të atit.
“Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm.”
“Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi!”, ka përfunduar Gresa Krasniqi.



