AGK dënon sjelljen e Gazmend Muhaxherit ndaj gazetares në Pejë

Kryetari i Pejës akuzohet për fjalor dhe sjellje të papërshtatshme ndaj gazetares së “Betimi për Drejtësi”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka konsideruar të papranueshme dhe e ka dënuar ashpër sjelljen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ndaj gazetares së mediumit “Betimi për Drejtësi”, Shpresë Hasimi.

banner

Sipas AGK-së, në pamjet e transmetuara në emision, Muhaxheri dëgjohet duke iu drejtuar gazetares me fjalën “Baju” në mënyrë nervoze, ndërsa përplas derën e veturës zyrtare në të cilën hyn. Ngjarja ka ndodhur pasi gazetarja i kishte parashtruar një sërë pyetjesh lidhur me dyshimet për kurdisje në këmbimin e një prone milionëshe në Komunën e Pejës.

AGK thekson se Muhaxheri nuk i ishte përgjigjur më herët kërkesës zyrtare për intervistë me ekipin e gazetarëve në zyrën e tij. Organizata e gazetarëve e fton kryetarin e Pejës të kërkojë falje për fjalorin dhe sjelljen e papërshtatshme ndaj ekipit mediatik, si dhe të ofrojë transparencë të plotë ndaj kërkesave për raportim mbi çështje me interes publik.

Sipas AGK-së, zyrtarët e lartë, si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë lokal, duhet të respektojnë punën e gazetarëve dhe detyrimin ligjor për ofrimin e informacioneve mbi vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.