
Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si të njëanshëm dhe në kundërshtim me funksionalizimin e Kuvendit vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e një mase të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe.
Gjykata Kushtetuese bëri të ditur të premten se deri më 30 shtator ka vendosur masë të përkohshme, me të cilën ndalon çdo veprim të deputetëve për formimin e Qeverisë. Kjo pas ankesës së Listës Serbe, e cila kërkoi që të shpallet kundërkushtetuese zgjedhja e Emilja Rexhepit si nënkryetare nga grupi multietnik, si dhe të urdhërohet kryeparlamentari që të përsërisë procedurën e votimit për dy nënkryetarët nga komunitetet.
Në reagimin e saj, VV thekson:
“Gjykata Kushtetuese pezulloi Kuvendin për 25 ditë për ankesën e Listës Serbe. Sot Gjykata Kushtetuese mori vendim për masë të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe. Çdokush do të pyeste me të drejtë pse u pa e nevojshme kjo masë e pse i nevojitet Gjykatës Kushtetuese 25 ditë pezullim i punës së Kuvendit pas një kërkesë të Listës Serbe? Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”.
Sipas Vetëvendosjes, me këtë vendim numri i ditëve të pritjes së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ka arritur në 112.
Kjo parti paralajmëroi se çdo interpretim që i jep Listës Serbe ekskluzivitetin për propozim dhe zgjedhje të nënkryetarit do t’i garantonte asaj të drejtë vetoje.
“Në tekstin prej 15 faqesh që Gjykata ka përgatitur për të përmbledhur faktet dhe arsyetimin e masës është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së Nënkryetarit. Kjo nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës. Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe. Kjo parti, dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, përfundon reagimi i VV-së.



