
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të premten.
Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja.
“Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata përfaqësues nuk zgjodhën interesin e popullit”, ka theksuar ajo.
Presidentja e ka quajtur papërgjegjësi që Kuvendi nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin e ri, derisa ka thënë se situatën e sollën njerëz “me qëllime të rrezikshme”.
Askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme.
Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes vonë, të mbajtur veç pak orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi e ka ndalur procesin e zgjedhjes, si pasojë e mungesës së kuorumit të nevojshëm.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy raundet e para të votimit duhet të jenë në kuti 80 vota e në të tretin, të paktën 61. Në sallë, të enjten kanë qenë të pranishëm 66 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa kanë munguar ata të opozitës. Për mungesë kuorumi ka dështuar edhe seanca e mëparshme e thirrur për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese, të përcjella nga presidentja Vjosa Osmani për votimin e presidentit nga populli.
E pas mbylljes së seancës së dytë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit



