
Eksperti i Ballkanit Perëndimor vlerëson rolin e presidentes Vjosa Osmani në dialogun strategjik me Uashingtonin.
Eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Edward P. Joseph, ka komentuar zhvillimet në raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara gjatë një interviste në emisionin “Info Magazine” të Klan Kosova.
Ai u ndal veçanërisht te rëndësia e përfshirjes së Kosovës në Bordin e Paqes dhe ndikimin që kjo ka në dialogun strategjik me SHBA-në.
Sipas Joseph, pjesëmarrja e Kosovës në këtë Bord përbën një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
“Mendoj se kjo është një ftesë tejet e rëndësishme për Kosovën, të ftohesh në Bordin e Paqes. Fakti që presidentja Osmani ka qenë edhe në themelimin e kësaj organizate në Davos dhe në takimin e parë në Uashington, është shumë i rëndësishëm. Tregon qartë se Kosova po ndërton raporte me Administratën Trump 2”, tha ai.
Joseph theksoi gjithashtu se kjo zhvillim vjen pas pezullimit të dialogut strategjik nga SHBA-të në shtator të kaluar. “Kjo është e kundërta e asaj situate. Është e qartë se presidentja Osmani po përfaqëson Kosovën në një formë tjetër të dialogut strategjik dhe kjo ka rëndësi”, shtoi eksperti.



