
Zëdhënësi Manxhuka thotë se ministri Rashiq e ngatërroi vendimin për tokën me vizitën e Patriarkut Porfirije.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të përgjigjet lidhur me deklaratën e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili kishte thënë se Kurti i kishte bartur 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit për shkak të tij.
Kurti deklaroi se çështja është sqaruar tashmë nga zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, dhe nga vetë ministri Rashiq.
“Ka folur tashmë zëdhënësi ynë, Arlindi, e po ashtu e ka sqaruar edhe Ministri,” tha Kurti.
Në një reagim të dielën, Manxhuka theksoi se Rashiq e kishte ngatërruar vendimin e kryeministrit me pranimin e kërkesës për vizitën e Patriarkut Porfirije, gjatë Krishtlindjeve Ortodokse të vitit 2023.
“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë,” shkroi Manxhuka në Facebook.
Të hënën, Rashiq u tërhoq nga deklarata e tij e mëparshme në Radio Gorazhdevci, duke sqaruar se kishte bërë gabim duke përzier dy ngjarje të ndara kohësisht:
“Deklarata ime nuk ishte plotësisht e saktë, sepse e ngatërrova atë fjali me një bisedë që ndodhi më parë, kur miratova vizitën e Patriarkut serb. Gabimi im ishte i paqëllimshëm dhe ndërrimi i ngjarjeve ndodhi sepse kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë,” tha Rashiq, transmeton Radio Evropa e Lirë.



