Kos shtyn vizitën në Kosovë shkaku i zhvillimeve të fundit

Komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, nuk do ta realizojë vizitën e saj të parë në Kosovë gjatë kësaj jave. Për këtë, sipas burimeve nga BE, Komisionerja Kos e ka njoftuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në një bisedë telefonike të cilën e ka zhvilluar të hënën.

“Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti, Komisionerja Kos i tha atij se do të shtyjë vizitën e planifikuar në Kosovë në rrethanat e zhvillimeve të fundit. Kryeministri Kurti shprehu përkushtimin e tij për rrugën drejt BE-së dhe reformave të lidhura me BE, posaçërisht në kuadër të planit të rritjes për Kosovën. Komisionerja Kos ka për qëllim të udhëtojë në Prishtinë në rastin më të hershëm të mundur“, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.

banner

Një vizitë e Komisioneres Kos, ndonëse nuk ishte konfirmuar data zyrtarisht, ishte planifikuar të zhvillohej këtë javë, më saktësisht të enjten më 12 mars, por tash sipas burimeve evropiane ajo është shtyrë.

Nga burimet në Bruksel mësohet se arsyeja e mosardhjes së Komisioneres Kos në Prishtinë këtë javë është konfuzioni që është krijuar pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit dhe pas vendimit të Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Sa i përket këtyre zhvillimeve në BE vetëm kanë përsëritur se “me keqardhje marrin në dijeni atë që ka ndodhur” dhe se “janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës“.

Vizita e Komisioneres Kos këtë javë në Kosovë, po të ishte realizuar, ka pasur për qëllim edhe të dëshmojë se janë përfunduar të gjitha procedurat për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe se tash pritet një dinamikë e re në raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor të cilin Komisionerja Kos nuk e ka vizituar asnjëherë prej kur para 14 muajsh ka marrë postin si anëtare e Komisionit për çështje të zgjerimit. Të gjitha vendet tjera i ka vizituar, disa edhe më shumë se një herë.

Arsyet të cilat më së shpeshti përmendeshin se pse Kos nuk e ka vizituar akoma Kosovën kishin të bëjnë edhe me masat, por edhe me krizën politike më shumë se njëvjeçare gjatë së cilës në Kosovë nuk kishte institucione me legjitimitet të plotë.

Pas konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të fundit dhe zgjedhjes së qeverisë në BE menduan se do të ketë kushte për një dinamikë të re në raporte në mënyrë që të kapet hapi në disa fusha ku Kosova ka humbur shumë kohë për shkak të masave dhe për shkak të ngërçit politik. Por tash kur në Kosovë janë paraqitur paqartësi të reja në BE thonë se nuk kanë çfarë të bëjnë për të pritur që këto procedura të brendshme në Kosovë të sqarohen./KOHA

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.