
Kurti thotë se vendi nuk duhet të shkojë sërish në zgjedhje dhe pret vendimin e Gjykates Kushtetuese të Kosovës për çështjen e shpërndarjes së Kuvendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të reja, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë përmes një marrëveshjeje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri.
Këto komente Kurti i bëri nga ambientet e Qendres Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku tha se Kosova tashmë ka kaluar një periudhë me shumë procese zgjedhore.
“Vitin e kaluar ka pasur katër palë zgjedhje. S’kemi nevojë ta përsërisim. S’është e drejtë as e dobishme që të kemi zgjedhje të përsëritura. Është e domosdoshme të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se vendi duhet të presë vendimin e Gjykates Kushtetuese e Kosovës, e cila aktualisht është duke shqyrtuar dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
“S’ka nevojë për zgjedhje të reja të përsëritura, ka nevojë që sa më parë ta kemi aktgjykimin e Kushtetueses që Kuvendi të fillojë të punojë”, është shprehur Kurti.



