SHBA mirëpret ujdinë mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt: Çdo ndryshim të bëhet në konsultim me serbët e Kosovës

SHBA kërkon që çdo ndryshim që prek komunitetin serb të bëhet në konsultim të ngushtë me ta.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt.

banner

Në një përgjigje për Reporteri.net, një zëdhënës i ambasadës amerikane ka përgëzuar angazhimin e palëve për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin njoftimin për arritjen e marrëveshjes mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt. Ne përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët”, thuhet në përgjigje.

Ambasada thekson se çdo ndryshim që ndikon në komunitetin serb të Kosovës duhet të bëhet në konsultim të ngushtë dhe me mbështetjen e tyre.

Më 14 mars, Qeveria e Kosovës u pajtua të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë dokumentet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës, në kuadër të Ligjit për të Huajt dhe atij për automjete, i cili nisi të zbatohet nga 15 marsi.

Vendimi u bë publik pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

Sipas Sorensenit, janë dakorduar masa shtesë në zbatimin e ligjit, përfshirë dhënien e lejeve të përkohshme për një periudhë prej 12 muajsh për punëtorët në arsim dhe shëndetësi, si dhe për studentët serbë.

Ky vendim është përshëndetur edhe nga përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë. Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se është krijuar një momentum i ri për avancimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës, si dhe për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.