
Kreu i Qendrës Kombëtare Kundërterrorizmit në SHBA, Joseph Kent, dha dorëheqjen këtë të martë, më 17 mars, duke u bërë anëtari i parë dhe më i lartë i administratës së presidentit Donald Trump që jep dorëheqjen për shkak të luftës në Iran.
Kent deklaroi se Teherani nuk paraqiste asnjë kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara.
“Nuk mundem, me ndërgjegje të pastër, të mbështes luftën e vazhdueshme në Iran. Irani nuk paraqiti asnjë kërcënim të menjëhershëm për kombin tonë, dhe është e qartë se e nisëm këtë luftë për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobit të tij të fuqishëm,” shkroi Joseph Kent në një letër drejtuar Trump-it, e postuar në X.
Disa ekspertë kanë thënë se një kërcënim i menjëhershëm do të ishte i nevojshëm që Shtetet e Bashkuara të nisnin një luftë sipas ligjit aktual.
Lidhur me këtë vendim të Kent, nuk ka ende një reagim nga Shtëpia e Bardhë dhe as nga zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.
Reuters shkruan se zyrtarët e inteligjencës u kapën të papërgatitur nga lajmi. Kent është i afërt me Drejtoren e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila ka mbajtur profil të ulët që kur filloi lufta në Iran.
Gabbard nuk ka dhënë deklarata publike dhe është shfaqur në publik vetëm gjatë ceremonisë së transferimit të trupave të ushtarëve amerikanë të vrarë më herët këtë muaj gjatë konfliktit me Iranin.



