
Ministri izraelit i Mbrojtes, Israel Katz, ka njoftuar të mërkurën se vendi i tij ka vrarë ministrin iranian të Inteligjencës, Esmail Khatib.
Vrasja e Esmail Khatib vjen pas vrasjeve të zyrtarit të lartë të sigurisë iraniane, Ali Larijani, dhe kreut të forcës Basij, tërësisht vullnetare të Gardës Revolucionare paraushtarake.
Katz ka thënë se “priten surpriza të rëndësishme gjatë gjithë kësaj dite në të gjitha frontet”, pa dhënë hollësi.
Ushtria izraelite ka paralajmëruar të martën se do të vazhdojë ta shënjestrojë këdo që “paraqet kërcënim për shtetin e Izraelit”.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Effie Defrin, ka thënë se do të ndiqet dhe “neutralizohet” edhe lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei.
Esmail Khatib ishte emëruar ministër i Inteligjencës së Iranit nga ish-presidenti i ndjerë, Ebrahim Raisi, në vitin 2021.
Ai kishte studiuar jurisprudencë islame nën drejtimin e shumë klerikëve të lartë, përfshirë udhëheqësin e ndjerë suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Ai ka mbajtur poste të larta në ministrinë e Inteligjencës dhe në Zyrën e udhëheqësit suprem.
Khatib ishte sanksionuar nga Thesari Amerikan për rolin e tij si kreu i ministrisë së Inteligjencës së Iranit “për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj” në vitin 2022.
Raportohet se Khatib i ishte bashkuar Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në vitin 1980, menjëherë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.



