
Deputetët Përparim Gruda dhe Arben Mustafa akuzojnë Albin Kurtin për mungesë vullneti dhe dialog formal.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka cilësuar si të pasinqerta dhe politikisht të kalkuluara veprimet e kryeministrit Albin Kurti në raport me procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Deputeti Përparim Gruda ka deklaruar se mënyra se si është zhvilluar i gjithë procesi tregon se pushteti nuk ka synuar asnjëherë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët. Sipas tij, ideja për një figurë konsensuale ka qenë vetëm formale dhe jo një përpjekje reale për marrëveshje.
“Procesi si i tillë ka qenë i dizajnuar për të dështuar”, ka thënë Gruda, duke shtuar se ka pasur alternativa të shumta për arritjen e një marrëveshjeje, por ato nuk janë shfrytëzuar.
Ai ka theksuar se PDK nuk ka qenë e gatshme të bëhet pjesë e një procesi që, sipas tij, do ta kthente opozitën në “patericë të pushtetit”, ndërsa dialogun e iniciuar nga Kurti e ka cilësuar si formal dhe për konsum publik.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe deputeti Arben Mustafa, i cili ka thënë se qëndrimi i PDK-së ka qenë i qartë që nga fillimi: pjesëmarrja në një marrëveshje do të kishte kuptim vetëm nëse kandidatura për President do të vinte nga kjo parti.
Sipas tij, përqendrimi i pushtetit – qeveria, shumica parlamentare dhe institucioni i Presidentit – në një dorë do të dëmtonte demokracinë dhe balancat institucionale në vend.
Mustafa ka shtuar se kundërshtimi i PDK-së nuk lidhet vetëm me emra konkretë, por me parimin e ndarjes së pushteteve dhe ruajtjen e mekanizmave mbikëqyrës në Kosovë.



