
Kancelari gjerman, Friedrich Merz kërkoi më shumë vetëbesim dhe vetëdije pushteti nga BE në deklaratën qeveritare në Bundestag të mërkurën. „Në një situatë ndërkombëtare, ku fuqitë e mëdha po mbështeten hapur te politika e forcës, edhe BE-ja duhet të shfrytëzojë fuqinë e vet“, tha kancelari. „Ne po mësojmë: edhe të tjerët varen nga ne – jo vetëm ne nga ata“, tha Merz. „Dhe po mësojmë se edhe ne mund ta përdorim këtë, po, duhet ta përdorim.” “Nuk duam më ta shesim veten nën vlerë”, u shpreh Merz.
Sipas kancelarit gjerman, “bota po zhvillohet në një situatë të vështirë për ne, drejt një rendi të fuqive të mëdha”. “Ne e ndiejmë se si aktorët e këtij rendi të ri të fuqisë ndikojnë në jetën tonë dhe kufizojnë mundësitë tona.”Në këto kushte, “një Evropë e bashkuar është më shumë se kurrë garancia e vetme dhe më e rëndësishme që kemi për të ardhmen tonë në Gjermani”. Vetëm të bashkuara shtetet evropiane kanë gjithashtu “potencial për pushtet në duar në këtë epokë të re që po lind”.



