
Irani po shqyrton vendosjen e tarifave për çdo anije që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit, ku kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm global.
Vendimi është pjesë e strategjisë së Teheranit për të monetizuar kontrollin e tij mbi këtë rrugë detare strategjike.
Që nga fillimi i konfliktit SHBA-Izrael ndaj Iranit, Teherani ka ndërprerë tranzitin për anijet që lidhen me kundërshtarët e tij dhe aleatët e tyre. Ligjvënësi iranian tha se parlamenti po shqyrton një projektligj që do t’i detyrojë vendet që përdorin ngushticën për transportin e energjisë dhe furnizimeve ushqimore të paguajnë taksa tranziti për Iranin.
Një këshilltar i udhëheqësit suprem iranian, Mohammad Mokhber, tha se “një regjim i ri për Ngushticën e Hormuzit” do të pasojë përfundimin e luftës, duke u mundësuar iranianëve të vendosin kufizime ndaj shteteve që i kanë sanksionuar.
Analistët paralajmërojnë se çdo tarifë tranziti nga Irani mund të rrisë tensionet globale dhe të ndikojë çmimet e energjisë, duke ndikuar rëndë tregjet ndërkombëtare të naftës dhe gazit.



