Britania, Franca, Gjermania, Italia, Holanda e Japonia: Gati të sigurojnë kalimin në Hormuz

Vendet perëndimore dënojnë veprimet e Iranit dhe paralajmërojnë masa për stabilizimin e tregjeve të energjisë.

Britania e Madhe, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë, Holandën dhe Japoninë, kanë deklaruar se janë të gatshme të kontribuojnë për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, pas përshkallëzimit të tensioneve në rajon, shkruan Sky News.

banner

Në një deklaratë të përbashkët, këto shtete dënuan ashpër sulmet e fundit të Iranit ndaj anijeve tregtare dhe infrastrukturës civile, përfshirë objektet e naftës dhe gazit, si dhe bllokimin faktik të ngushticës.

Ato shprehën shqetësim të thellë për përkeqësimin e situatës dhe i bënë thirrje Iranit që të ndalojë menjëherë kërcënimet, sulmet me dronë dhe raketa, si dhe çdo përpjekje për të penguar lirinë e lundrimit.

Vendet nënshkruese theksuan se ndërhyrjet në transportin ndërkombëtar dhe zinxhirët globalë të energjisë përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, duke kërkuar gjithashtu ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës civile.

Në të njëjtën kohë, ato paralajmëruan masa për stabilizimin e tregjeve të energjisë, përfshirë rritjen e prodhimit nga vendet prodhuese dhe përdorimin e rezervave strategjike të naftës.

Gjithashtu, u theksua gatishmëria për të mbështetur vendet më të prekura nga kriza, duke riafirmuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe garantimit të sigurisë detare globale.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.