PDK: Duhet plan emergjent anti-inflacion, Qeveria i ka braktisur qytetarët

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje për një plan emergjent anti-inflacion, teksa ka akuzuar Qeverinë Kurti se i ka braktisur qytetarët dhe se po mendon vetëm për mbledhje të taksave e si të përfitojë nga shtrenjtimi i naftës.

Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa ka bërë thirrje për heqje dorë nga TVSH-ja dhe akciza, do të kishte frenim të efektit zinxhiror të shtrenjtimeve.

banner

“Sot, për çdo litër naftë, shteti merr rreth 60 centë taksa: 36 centë akcizë dhe 24 centë TVSH. Pra, kur një qytetar furnizohet me naftë, në çmimin prej 1.80 euro për litër, nuk paguan vetëm çmimin e naftës, por i paguan edhe shtetit 60 centë taksa. Kjo është një barrë që duhet të lehtësohet në këtë kohë krize. Heqja dorë përkohësisht nga këto taksa, në tërësi apo edhe pjesërisht, do të nënkuptonte një zbritje të menjëhershme të çmimit të naftës dhe frenim të efektit zingjiror të rritjes së çmimeve”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se vala e re e shtrenjtimit do të ishte e papërballueshme për qyetarët.

“Rritja e çmimit të naftës nuk prek vetëm ata që furnizohen në pompë. Ajo rritë shpenzimet e transportit, të prodhimit dhe, rrjedhimisht, çmimet e të gjitha produkteve që konsumojmë. Në prag të sezonit të bujqësisë, kjo rritje godet drejtpërdrejt bujqit tanë, duke i detyruar të prodhojnë me shpenzime më të mëdha dhe, rrjedhimisht, t’i shtrenjtojnë produktet e tyre”, ka thënë ai.

PDK-ja ka kërkuar ulje të menjëhershme të taksave për derivatet e naftës.

“Masa konkrete dhe të drejtpërdrejta për mbrojtjen e bujqve dhe prodhuesve vendorë, përfshirë subvencione shtesë dhe mbështetje për inputet bazë në këtë sezon kritik. Një plan emergjent, të qartë dhe të matshëm, për përballimin e rritjes së çmimeve, që garanton stabilitet për familjet dhe bizneset. Pra, një plan emergjent anti-inflacion, me objektiva konkrete për stabilizimin e çmimeve dhe masa të koordinuara mes ministrive. Kontroll dhe transparencë në treg për t’i parandaluar abuzimet, me inspektime të shtuara ndaj çmimeve, monitorim të zinxhirit të furnizimit, penalizim të marrëveshjeve të fshehta dhe rritjeve artificiale, sepse, shumë rritje çmimesh nuk janë vetëm nga tregu, por edhe nga abuzimet”, ka thënë Mustafa.

Ai kërkoi nga Qeveria “që energjinë, të cilën po e shpenzon për të krijuar dhe apo thelluar kriza politike, ta përqendrojë në mështetjen konkrete të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit”./Koha

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.