Fondi Humanitar përgënjeshtron Gashin: Nuk themi askund se të vrarët në Masakrën e Dubravës ishin të armatosur

Bekim Blakaj thotë se në listat e organizatës nuk përmenden shqiptarë të armatosur dhe se edhe numri i viktimave është paraqitur pasaktë.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka përgënjeshtruar deklaratat e autorit të librit “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, Shkëlzen Gashi, i cili kishte deklaruar se pretendimet për shqiptarë të armatosur në Masakrën e Dubravës i kishte marrë nga organizata joqeveritare Humanitarian Law Center.

banner

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka sqaruar se në listat dhe dokumentacionin e organizatës nuk figuron askund se viktimat në Masakrën e Dubravës kanë qenë të armatosura në momentin e vrasjes.

“Në listën tonë nuk ceket askund se ata kanë qenë të armatosur në momentin e vrasjes. Ne e kemi një listë me viktimat dhe të dhënat e tyre, por nuk e kemi paraqitur nëse kanë qenë të armatosur apo jo”, ka deklaruar Blakaj në një prononcim për Paparaci.

Ai ka theksuar gjithashtu se edhe numri i viktimave në Burgun e Dubravës është paraqitur ndryshe nga ajo që figuron në të dhënat e Fondit.

“Në të kaluarën kemi pasur një takim ku i kemi ftuar të gjithë të mbijetuarit e kësaj masakre dhe në listë kemi rreth 110 të vrarë, por as numri i viktimave nuk është paraqitur saktë nga Gashi”, ka shtuar Blakaj.

Ky reagim vjen pas debatit të madh publik të nxitur nga ekspozita dhe botimi “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, ku janë ngritur shqetësime të shumta për pasaktësi në paraqitjen e fakteve historike lidhur me krimet e luftës në Kosovë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.