
Gjermania dhe Siria synojnë të përshpejtojnë kthimin e refugjatëve sirianë në atdheun e tyre. Ahmed al-Sharaa tha se pret që të kthehen 80 për qind e tyre. Kurse Merz premtoi mbështetje financiare për Sirinë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz synon të nxisëkthimin e refugjatëve sirianë që jetojnë në Gjermani në vendin e tyre të origjinës. Në vitet në vijim pritet që 80 për qind e më shumë se 900.000 sirianëve që jetojnë në Gjermani të kthehen në atdhe. Kjo është dëshira që shprehu dhe presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, gjatë takimit me Merzin. Al-Sharaa ndodhet aktualisht për vizitën e tij të parë në Gjermani.
Për të koordinuar kthimin e përshpejtuar të sirianëve do të krijohet një “task-forcë e përbashkët” – tha Merzi. Për këtë qëllim brenda pak ditësh pritet të zhvillohet edhe një vizitë delegacioni në Siri.
Sipas Merzit kushtet në Siri janë përmirësuar
Kancelari Merz theksoi se më shumë se një vit pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad dhe përfundimit të luftës civile kushtet në Siri janë “përmirësuar ndjeshëm”. Për këtë arsye, nevojat për mbrojtje duhet të rivlerësohen. Kush nuk ka më të drejtë qëndrimi në Gjermani, duhet të largohet, tha Merz. Kjo vlen veçanërisht për ata “që abuzojnë me mikpritjen tonë” dhe nuk respektojnë ligjet gjermane.
Edhe ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, kishte njoftuar më herët se do të diskutonte me al-Sharaan për kthimet vullnetare dhe dëbimet e shtetasve sirianë.
Mbështetje financiare për Sirinë
Merz premtoi gjithashtu mbështetje financiare për Sirinë. Gjermania do të ofrojë rreth 200 milionë euro, për shembull për përmirësimin e furnizimit me ujë dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike. “Na duhet një opsion i besueshëm kthimi, një bashkëpunim me Sirinë, veçanërisht për ata që abuzojnë me mikpritjen tonë,” tha Merz. Kjo vlen edhe për ata “që nuk respektojnë ligjet tona”.
Gjatë luftës civile në Siri gjetën strehim në Gjermani gati një milion sirianë. Shumica mbërritën në vitet 2015 dhe 2016. Kthimi i tyre mbetet i diskutueshëm, ndër të tjera për shkak të infrastrukturës së shkatërruar rëndë në vend, situatës së paqëndrueshme të sigurisë dhe mungesës së furnizimeve ushqimore.



