Deliu-Kodra: PDK-ja s’propozon emra për president pa marrëveshje paraprake

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se partia e saj nuk do të propozojë emra të kandidatëve për president, pa ndonjë marrëveshje paraprake politike.

Në një prononcim për “Ekonomia Online”, Deliu-Kodra ka thënë se po që se do të kishte vullnet politik nga kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, atëherë çështja e presidentit do të zgjidhej.

banner

“Ne kemi thënë tash e sa kohë që nuk mund të propozohen emra pa një marrëveshje politike dhe fakti që s’kemi arritur që të kemi marrëveshje politike që propozimi t’i takojë Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që ne nuk kemi propozuar emra. Pra, zoti Kurti e thashë e ka të gjithë mundësinë, e ka pasur tash e sa kohë që ta zgjedhë presidentin dhe është komplet në vullnetin e tij politik nëse Kosovës do t’i japë një president ose presidente, ose vendi do të rrëshqasë në zgjedhje të reja”, ka thënë ajo.

Të hënën, Kurti ka thënë se po bën përpjekje të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Por PDK-ja i ka kërkuar liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit, ta konkretizojë iniciativën e re për çështjen e presidentit në formë të shkruar. Gjatë ditës dje Kurti e takoi kryetarin e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, por nuk u njoftua për ndonjë rezultat konkret nga takimi.

Sipas Deliu-Kodrës, PDK-ja ka kërkuar konkretizim të ftesës në mënyrë që për to të ketë trajtim në organet e partisë dhe më pas të merret qëndrimi për këtë çështje.

“Në të kundërtën, po e them këto takime të cilat nuk prodhojnë asgjë, është vështirë të thuhet që do të kenë efektin e tyre pa u konkretizuar tashmë sepse nuk po ndodhin për herë të parë”, ka thënë ajo.

Duke folur për situatën aktuale në vend, Deliu-Kodra ka kritikuar qeverinë për mungesë fokusimi në çështjet ekonomike dhe sociale.

Para vendimit të Kushtetueses, që u dha afat deputetëve deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin ose vendi shkon në zgjedhje të reja, Hamza pati takime me Kurtin. Megjithatë ato dështuan. Kurti dhe LVV-ja më 5 mars propozuan dy emra të partisë për kandidatë për president – Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mullhaxhën. Nuk pati kuorum për të nisur votimin. Pastaj presidentja e atëkohshme Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit, por që u hodh poshtë si pa efekt juridik nga Kushtetuesja.

Pas takimeve, Hamza pati thënë se ka kërkuar nga Kurti marrëveshje që kandidati i propozuar nga PDK-ja të marrë mbështetjen e VV-së.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.