
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku ka folur rreth rendit të ditës së seancës së radhës së Kuvendit.
Ajo ka vlerësuar se ka ndodhur diçka e paprecedent në mbledhjen e Kryesisë, duke deklaruar se nuk kanë arritur të dakordohen për pikat e rendit të ditës.
Derisa ka folur për rezolutën e propozuar për mbrojtjen e viktimave të luftës, ajo ka thënë se kjo çështje nuk ka qenë politike asnjëherë për ta, shkruan KOHA.
“Kujtesë nuk është vetëm e kaluara, kujtesa është identitet, kujtesa është themeli mbi të cilin ndërtohen institucionet dhe shteti. Pati një rezistencë për mua të paarsyeshme edhe të pashpjegueshme nga anëtarët e Vetëvendosjes. PDK e ka bërë të qartë që marrëveshjet ndërkombëtare i voton, këto s’janë marrëveshje të një partie”, ka thënë ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e ka quajtur veprim për keqardhje kundërshtimin e Vetëvendosjes që rezoluta të mos trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës.



