Osmani në përvjetorin e Koshares: U përulem heronjve që ndryshuan rrjedhën e historisë

Presidentja thotë se Kosharja ishte momenti kur u thye kufiri i padrejtë dhe u hap rruga e lirisë për Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar përvjetorin e Betejës së Koshares, duke nderuar sakrificën e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ranë në këtë betejë.

banner

Në një mesazh përkujtimor, Osmani tha se në këtë ditë përkulet me nderimin më të lartë para atyre që, sipas saj, ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës.

“Sot, në përvjetorin e Betejës së Koshares, u përulem me nderimin më të lartë para atyre që ndryshuan rrjedhën e historisë sonë”, u shpreh ajo.

Osmani theksoi se çdo vit përkujtimi i kësaj beteje shoqërohet me takime me familjarët e dëshmorëve, veçanërisht me nënat që kanë humbur bijtë e tyre në luftë.

Sipas saj, sakrifica e luftëtarëve të UÇK-së në Koshare ishte një moment vendimtar për rrugën drejt lirisë.

“Kosharja ishte momenti kur u thye një kufi i padrejtë dhe u hap rruga e lirisë. Ishte dëshmi se vullneti për liri është më i fortë se çdo pengesë”, tha Osmani.

Ajo shtoi se luftëtarët e UÇK-së luftuan për dinjitet, për të drejtën për të jetuar të lirë dhe për një shtet që, sipas saj, sot duhet të forcohet çdo ditë.

“Sot nuk kujtojmë vetëm rënien e kufirit fizik. Kujtojmë lindjen e një vetëdijeje të re shtetërore”, theksoi presidentja.

Në fund të mesazhit të saj, Osmani tha se përgjegjësia e institucioneve dhe e qytetarëve është që ta mbrojnë Republikën me të njëjtin përkushtim me të cilin u fitua liria.

“Lavdi të përjetshme heronjve të Koshares”, përfundoi ajo.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.