
Emra konkretë si kandidatë për presidentë janë diskutuar në takimet që Kurti i ka zhvilluar ndaras me Hamzën e Abdixhikun, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Në intervistën e parë që kryeparlamentarja ka dhënë prejse i është kaluar funksioni i kreut të shtetit, e që transmetohet sonte në KTV, ajo ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, për zgjedhjet e mundshme, për kompletimin e KQZ-së, e për një numër temash të tjera.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka diskutuar për emra konkretë të kandidatëve të mundshëm konsensualë për president gjatë takimeve të ndara që i ka zhvilluar me kryetarin e PDK-së dhe me atë të LDK-së, shkruan KOHA.
Në një intervistë për emisionin “Konfront” në Kohavision, ajo ka thënë se përfaqësuesit partiakë po mbajnë qëndrime ndryshe në takime e ndryshe para mediave, kur flasin për zgjedhjen e presidentit.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme që të pajtohemi për një gjë – që vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme… Nganjëherë krijohet përshtypja që dikush do që të shkojë sepse ndoshta mendon se mund të prishet rezultati i dhjetorit të vitit të kaluar… Deputetë nga partitë politike, pra jo si qëndrime të partive politike, por është e rëndësishme që ajo çfarë thuhet në takim të jetë qëndrim i partisë politike – të jetë tamam ashtu siç thuhet dhe jo diçka tjetër të thuhet në takime e diçka tjetër jashtë takimeve”, ka thënë ajo.
Në intervistë, Haxhiu ka folur edhe për vendimin që do ta marrë për kompletimin e KQZ-së. Haxhiu, e cila ushtron detyrën e presidentes duke qenë kryeparlamentare, ka folur edhe për ekspozitën me pasaktësi për masakrat, e cila është financuar edhe nga Kuvendi.
Në intervistë, Haxhiu ka dhënë pikëpamjen e saj edhe për Projektrezolutën e propozuar nga PDK-ja, një pikë e së cilës kërkon ndryshime në Kodin penal, me qëllim që të ndiqet penalisht kushdo që mohon ose minimizon krimet e Serbisë. Ajo ka theksuar se dëshmorët e viktimat nuk bën të përmenden veç në prag zgjedhjesh.
Intervista e plotë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, transmetohet në “Konfront” të KTV-së, duke filluar nga ora 20 e 10.



