
Kurti thotë se qëndrimi i VV-së për Gjykatën Speciale është i pandryshuar, distancohet nga përgjegjësia disiplinore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar lidhur me komentet e deputetit Fatos Geci në Kuvend, duke theksuar se qëndrimi i tij dhe i partisë mbetet i njëjtë për luftën çlirimtare dhe proceset gjyqësore në Hagë.
Kurti u shpreh se beson në pafajësinë e krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Ne jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe në pafajësinë e katër krerëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, tha ai.
Ai shtoi se reagimi institucional ndaj deklaratës së Gecit tashmë ka ndodhur në Kuvend, duke iu referuar ndërhyrjes së kryetares së Kuvendit, e cila i ndërpreu fjalën deputetit për shkak të gjuhës së përdorur.
Kurti theksoi se nuk është në rolin e një organi disiplinor për të trajtuar çështje të tilla individuale. “Unë jam kryetar i VV-së dhe kryeministër i Kosovës, nuk jam kryetar i ndonjë komisioni disiplinor”, u shpreh ai.



