
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se gjatë qeverisjes së LDK-së me LVV-në në vitin 2021, kanë pasur marrëveshje me Albin Kurtin që kryetari i partisë atëkohë, Isa Mustafa të bëhej president.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Haziri ka thënë se dy partnerët e koalicionit kanë pasur të mbyllur pakon e marrëveshjes ku hynte Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti.
“Ne kemi bërë marrëveshje për president, e cila ka pasur të ndodhte në vitin 2021. Kemi biseduar për të gjitha çështjet, është fakt që na pati marrë më shumë kohë çështja e presidentit, por në fund jemi pajtuar, në takim ishim unë, znj. Vjosa Osmani dhe Albin Kurti e Besnik Bislimi, e kemi mbyllur pakon e marrëveshjen ku hynte Kuvendi, Qeveria, Presidenti dhe ministrat e është finalizuar. Kjo ka qenë qasja në të cilën kemi punuar. Isa Mustafa ishte emri për të cilin jemi pajtuar. Isa Mustafa nuk do të lejonte në asnjë mënyrë të ndryshonte Qeveria po të kishte merak ta merrte atë pozitë, sepse emri i tij ishte i konfirmuar prej dy partnerëve kryesorë që e kanë bërë shumicën e madhe në atë kohë”, ka thënë ai.
Haziri ka shtuar se zhvillimet politike në atë kohë kanë qenë jashtëzakonisht të shpejta dhe veprimet e Kurtit kanë treguar se marrëveshja mund të ndryshonte.
“Veprimi i njëanshëm i z.Kurti në raport me Qeverinë dhe në këtë rast me ministrin e Punëve të Brendshme në atë kohë ka qenë ajo që ka treguar qartë që vështirë është për të besuar se marrëveshja bëhet e paprekur”, ka theksuar ai./KOHA



