SHBA-ja do të tërheqë afër 5 mijë trupa nga Gjermania

Sekretari amerikan i Mbrojtjes*, Pete Hegseth, ka urdhëruar tërheqjen e afër 5 mijë trupave nga Gjermania brenda vitit të ardhshëm, tha Pentagoni të premten.

Ky vendim erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se tarifat për makinat dhe kamionët nga Bashkimi Evropian do të rriten në 25 për qind javën e ardhshme, duke e akuzuar bllokun evropian se nuk po respekton një marrëveshje tregtare të nënshkruar verën e kaluar.

banner

Trump ka ripërsëritur kritikat ndaj kancelarit gjerman, Friedrich Merz, i cili të hënën tha se Irani po e “poshtëronte” Uashingtonin në tryezën e negociatave. Trump tha se Merz “mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore. Ai nuk e di se për çfarë po flet!”.

Të mërkurën, udhëheqësi amerikan tha se Uashingtoni po “studion dhe shqyrton mundësinë e reduktimit” të trupave amerikane në Gjermani dhe se do të marrë një vendim për këtë çështje “brenda një periudhe të shkurtër kohore”.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha përmes një deklarate të premten se “presim që tërheqja të përfundojë gjatë gjashtë deri në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm”.

“Ky vendim vjen pas një shqyrtimi të hollësishëm të dislokimit të forcave të Departamentit në Evropë dhe merr për bazë kërkesat e teatrit operacional dhe kushtet në terren”, shtoi Parnell.

Gjatë dy mandateve presidenciale, Trump ka deklaruar se do të ulë numrin e trupave amerikane në Gjermani dhe në shtete të tjera evropiane, duke thënë se dëshiron që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, në vend se të varet nga Uashingtoni.

Trump të premten akuzoi prodhuesit gjermanë të makinave, si Mercedes-Benz dhe BMW, se po i shfrytëzojnë amerikanët, duke thënë se Gjermania dhe “shtetet të tjera evropiane nuk i janë përmbajtur marrëveshjes sonë tregtare”.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.