
Avokati i Hashim Thaçi konfirmon shtyrjen e aktgjykimit nga 19 maji.
Vendimi përfundimtar në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës është shtyrë për më 20 korrik 2026.
Konfirmimin për këtë shtyrje e ka dhënë avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, i cili ka pohuar se raportimet në media janë të sakta.
“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar ai në një përgjigje për RTK-në.
Fillimisht, shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më 19 maj, por sipas rregullave procedurale, trupi gjykues ka afat deri në 90 ditë për vendim, me mundësi shtyrjeje edhe për 60 ditë të tjera.
Kështu, epilogu i një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së pritet të bëhet publik më 20 korrik 2026.



