
Ish-presidentja lavdëron ish-deputeten e VV-së dhe GUXO-s për “parimësi, guxim dhe mbrojtje të interesit të Kosovës”.
Vjosa Osmani ka konfirmuar bashkimin politik me Albena Reshitaj, e cila më parë ishte pjesë e Lëvizja Vetëvendosje dhe Guxo.
Përmes një postimi publik, Osmani tha se bashkëpunimi me Reshitajn ka nisur më shumë se një dekadë më parë dhe është ndërtuar mbi sfida e suksese të përbashkëta.
Ajo e cilësoi Reshitajn si një grua parimore dhe me bindje të qëndrueshme politike, duke kujtuar edhe rolin e saj në votimin për presidente në vitin 2021.
“Me votën e saj vendimtare, Albena krijoi kuorumin e nevojshëm dhe bllokoi rolin e Listës Serbe në krijimin e institucioneve, pa asnjë interes personal”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, Reshitaj ka dëshmuar se politika mund të ndërtohet mbi dinjitet, integritet dhe vizion për Kosovën.
Në fund, Osmani tha se Kosova “do ta ketë nderin ta ketë deputete”, duke i uruar sukses në rrugëtimin e përbashkët politik.



