
Marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk është një raport i zakonshëm diplomatik. Është vetë themeli e shtetësisë sonë. Pa ndërhyrjen amerikane nuk do të kishte çlirim, pa përkrahjen e tyre nuk do të kishte pavarësi, dhe pa garancinë e tyre nuk do të kishte siguri as dje as sot. Për këtë arsye, çdo qeveri në Kosovë edhe ato të moçmet edhe këto të rejat kanë pasur dhe kanë për detyrë të ruajnë, forcojnë dhe kultivojnë lidhjen me Amerikën.
Shkruan Flamur Beqiri
Por Albin Kurti po ndjek rrugën e kundërt, një politikë që ai e quan, mbrojtje të sovranitetit, por që në fakt është një diskurs i rrezikshëm antikombëtar Qysh në fillimet e tij në politikë, Kurti ka folur hapur dhe e ka trajtuar Amerikën dhe politikën Amerikane si hegjemoni, e jo si partneritet të përhershëm. Kjo qasje, dikur retorikë opozitare, sot është kthyer në politikë shtetërore.
Përplasjet me ambasadorët janë bërë përditshmëri, refuzimi i marrëveshjeve amerikane është shndërruar në kauzë, dhe çdo tension me Uashingtonin paraqitet si fitore për Kosovën. Por, faktet flasin ndryshe, marrëveshja e Uashingtonit me Kryeministër Hotin, e vitit 2020, e cila hapte mundësi për investime dhe lidhje më të forta me SHBA, u shpall e pavlefshme nga Kurti pa asnjë alternativë.
Kriza në veri, pa hyrë në detaje, me masa të njëanshme dhe pa konsultim, solli sanksione të BE-së dhe paralajmërime serioze nga SHBA, një situatë që e izoloi Kosovën si kurrë më parë. Rezultatet janë alarmante, sot, Kosova ka marrë goditjen më të madhe diplomatike nga SHBA duke pezulluar dialogun strategjik me qeverinë e Republikës së Kosovës.
Derisa tashmë Kosova përballet me izolim diplomatik, ndërkohë Serbia e shfrytëzon situatën dhe siguria e vendit është vënë në pikëpyetje, sepse pa Amerikën nuk ka garanci mbrojtjeje. Kurti e shet këtë kurs si sovranitet, por në fakt është një lojë e rrezikshme me të ardhmen e Kosovës.
Nuk ka sovranitet pa siguri, nuk ka shtet pa mbështetje ndërkombëtare, dhe nuk ka ardhmëri pa SHBA. Politika që e dobëson këtë lidhje nuk është kombëtare, është antikombëtare. Kosova nuk ka luksin të sillet si shtet i madh që sfidon superfuqitë. Ne jemi një vend i vogël, me një numër jo të vogël armiqësh, e që ekzistojmë falë aleancës më të fortë që kemi ndërtuar ndonjëherë.
Çdo dobësim i kësaj aleance është dëm direkt për interesat e Kosovës. Në vend se t’i forcojë lidhjen me Amerikën, Kurti ka zgjedhur t’i minojë ato. Dhe kjo nuk është vizion, por aventurizëm politik që e bën Kosovën më të dobët, më të vetmuar dhe më të rrezikuar.
Historia do ta gjykojë rëndë këtë politikë, sepse nuk ka asgjë më antikombëtare sesa të rrezikosh partnerin që ta solli lirinë dhe që garanton të ardhmen tënde. Kjo është më shumë se tradhti!



