
Kandidatja për deputete nga LDK-ja, Hykmete Bajrami në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se nuk do të dëshironte që Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, duke argumentuar se qeverisja e deritanishme nuk ka sjellë rezultatet e pritura.
Bajrami tha se përbërja e qeverisë së ardhshme do të varet nga vullneti i qytetarëve dhe rezultati zgjedhor, por nuk e fshehu qëndrimin e saj politik.
“Unë konsideroj se kjo varet edhe prej rezultatit zgjedhor. Me dëshirë, asnjëherë nuk do të doja që Albin Kurti të jetë kryeministër dhe që Lëvizja Vetëvendosje të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Për shkak të dështimeve që kemi parë gjatë këtyre viteve, mendoj se është koha që të shkojnë në opozitë dhe të reflektojnë”, deklaroi Bajrami.
Ajo shtoi se Kosovës i nevojitet një qeveri që fokusohet më shumë në zhvillimin ekonomik, projektet kapitale dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Vendit i duhet një qeveri që punon më mirë, që sjell rezultate konkrete dhe që u përgjigjet nevojave reale të qytetarëve”, tha Bajrami.



