Gjokoviç zhvendoset në Athinë pas përplasjeve me regjimin e Vuçiçit

Novak Gjokoviç e ka braktisur Beogradin për tu vendosur prej pak kohësh në një shtëpi me qira në Glyfada, në jug të Athinës, njoftuan disa media greke, Ky është padyshim një fillim i ri për atë që konsiderohet sportisti më i madh serb i të gjitha kohërave, por që është kthyer në armikun publik numër një i regjimit që po përballet me një klimë politike të tensionuar.

Novak Gjokoviç është përfshirë në polemika gjatë gjithë karrierës së tij, por e fundit duket se po merr përmasa të mëdha. Në konflikt me qeverinë e Aleksandar Vuçiç dhe i sulmuar nga mediat pro-regjimit populist serb, rekordmeni i titujve Grand Slam (24) thuhet se ka lënë vendlindjen e tij për t’u vendosur në Greqi.

banner

Sipas disa mediave greke, ish-numri një i botës ka marrë me qira një shtëpi në Glyfada, pranë detit dhe fushave të tenisit, ku po jeton me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Fëmijët mësohet se janë regjistruar tashmë në një shkollë private britanike në kryeqytet dhe i madhi, Stefan, është parë para pak ditësh duke luajtur me të atin në Kavouri Club në Athinë.

Serbi madje raportohet se ka nisur procedurat për ta vendosur rezidencën e tij kryesore në Greqi dhe është takuar me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis për të biseduar mbi këtë çështje. Diskutimet mund të lidhen me një kërkesë për “golden visa”, e cila do t’i siguronte një leje qëndrimi pesëvjeçare në këmbim të një investimi prej 250.000 eurosh në pasuri të paluajtshme.

Një mbështetje për lëvizjet studentore në Serbi

Ky transferim është nxitur nga klima armiqësore e krijuar rreth tij në Serbi. Edhe pse për vite me radhë i la qenë i adhuruar dhe një ikonë e vërtetë kombëtare, Gjokoviç është rrëzuar nga froni në opinionin publik serb muajt e fundit. Arsyeja: qëndrimet e tij pro protestave studentore kundër qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç. Lëvizja e protestës nisi pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor të Novi Sadit, më 11 nëntor 2024, ku humbën jetën gjashtëmbëdhjetë persona.

Gjokoviç reagoi disa javë më vonë në X:
“Si një person që beson në energjinë e të rinjve dhe në dëshirën e tyre për një të ardhme më të mirë, mendoj se është e rëndësishme të dëgjohet zëri i tyre. Të rinjtë e arsimuar përfaqësojnë forcën më të madhe të Serbisë. Të gjithë kemi nevojë për mirëkuptim të ndërsjellë dhe respekt. Jam me ju.” (18 dhjetor 2024)

Fituesi i 100 titujve ATP më pas ka shprehur disa herë hapur mbështetjen për rininë. Në janar, pas fitores në raundin e tretë të Australian Open kundër Tomas Machac, ai shkroi mbi kamerë “Për Sonja”, në kujtim të një studenteje që humbi jetën pasi u godit nga një makinë, gjatë një proteste në Beograd atë javë. Pak më vonë, ai u shfaq i veshur me një bluzë ku shkruhej “Students are champions” (“Studentët janë kampionë”) gjatë një ndeshjeje basketbolli në Beograd.

Emri i tij i fshirë nga qeveria

Por ishte një postim në Instagram më 15 mars që i vuri benzinë zjarrit: ai shpërndau dy foto nga një protestë e madhe në Beograd, duke e shoqëruar me komentin “Historike, madhështore”. Qeveria dhe mediat iu kthyen kundër. Tabloidi Informer, kryefjala e propagandës pro-Vuçiç, shkroi: “Gjokoviç, turp? Novak mbështet dhunën dhe ‘revolucionin me ngjyra’”, duke e quajtur madje një “patriot të rremë”. Nga ana tjetër, revista Vreme vlerësonte se “njeriu që bashkoi serbët me fitoret e tij” tani po vinte në pikëpyetje reputacionin e tij duke u “tërhequr në ndasitë e përjetshme të shoqërisë sonë”.

Megjithëse vetëm pak muaj më parë ishte pritur si hero pas medaljes së artë në Lojërat Olimpike të Parisit (vera 2024) – i vetmi titull që i mungonte – Gjokoviç u fshi edhe nga diskursi zyrtar. Në një tubim, kur Vuçiç lexoi një letër të një fëmije 8-vjeçar që e kishte idhull Gjokoviç-in, ai censuroi emrin e tij dhe e zëvendësoi me atë të yllit të NBA-së, Nikola Jokic, me të cilin ka marrëdhënie të afërta.

Turneu i Beogradit i zhvendosur këtë vit

Në fillim të gushtit, ATP njoftoi se turneu i Beogradit, i organizuar nga Gjokoviç dhe familja e tij që prej vitit 2009, do të zhvendosej këtë vit në Athinë (2-8 nëntor). Zyrtarisht, organizata tha se “kushtet e nevojshme për zhvillimin e turneut nuk u plotësuan”, por sipas mediave italiane (Corriere della Sera), vendimi ishte edhe politik, si një kundërshtim ndaj Aleksandar VuçiçIt.

Ky përmbysje është e lidhur qartësisht me mbështetjen e Gjokoviçit për protestat studentore, duke prishur marrëdhëniet e mira që kishte më parë me presidentin serb. Në vitin 2022, për shembull, Vuçiç e kishte mbrojtur fuqishëm tenistin pas dëbimit nga Australia, duke akuzuar vendin për “trajtim të keq” ndaj tij dhe për “gjueti politike”. Gjokoviç, që nuk ishte vaksinuar kundër Covid-19 (një kusht i detyrueshëm për hyrjen në Australi), atëherë u prit si hero në kthimin e tij në Beograd. Një kohë që sot duket shumë e largët.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.