
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas konstituimit të Kuvendit, kryetari apo kryetarja e re e Kuvendit do ta ketë të drejtën kushtetuese ta mandatojë kandidatin për kryeministër, shkruan KOHA.
E pyetur nëse do ta kenë të drejtën kushtetuese për ta mandatuar kandidatin për kryeministër pas konstituimit, Haxhiu u shpreh e bindur që po.
“Le ta konstituojmë Kuvendin, le ta zgjedhim Qeverinë dhe menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, kryetari i ri i Kuvendit ose kryetarja, kushdo që të jetë, do ta ketë të drejtën kushtetuese ta mandatojë kandidatin për kryeministër”, ka thënë Haxhiu të enjten.
Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, ajo ka bërë të ditur se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit do të nisin takimet me partitë politike për të arritur një konsensus.
“Le të presim njëherë që të ndodhë certifikimi i rezultateve dhe pastaj pas certifikimit të rezultateve natyrisht që do të ketë takime me partitë politike dhe urojmë që ta gjejmë një konsensus në mënyrë që ta votojë Kuvendi i Republikës së Kosovës presidentin me mandat pesëvjeçar”, ka deklaruar ajo.
E pyetur nëse do të jetë kandidate për presidente, Haxhiu e ka mohuar një mundësi të tillë.
“Jo, nuk do të jem kandidate për presidente”, është përgjigjur shkurt ajo.
Sipas rezultateve të 7 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 53 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.



