
Ministria e Punëve të Jashtme ka dalë me një sqarim lidhur me Samitin e NATO’s, që do të mbahet në Ankara.
Në reagimin e Ministrisë thuhet se Republika e Kosovës nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s në cilësinë e shtetit pjesëmarrës, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe aktualisht nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe, shkruan Reporteri.net.
Aty theksohet se Kosova deri më tani nuk ka marrë pjesë në një samit të NATO’s si shtet pjesëmarrës, por vetëm në kuadër të aktivitetit të organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në margjina të samitit.
Sqarim lidhur me raportimet për Samitin e NATO-s
25 qershor 2026
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Për të sqaruar keqkuptimet dhe pasaktësitë e ngritura nga disa portale, theksojmë se Republika e Kosovës nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s në cilësinë e shtetit pjesëmarrës, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe aktualisht nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP).
Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës. Në raste të veçanta, në varësi të agjendës së samitit, ftesë mund të marrin edhe partnerë të NATO-s. Në samitin që do të mbahet në Ankara, përveç vendeve anëtare, ftesë kanë pranuar partnerët e NATO-s në kuadër të Indo-Pacific Four (IP4) – Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re – si dhe Ukraina, në cilësinë e partnerit të NATO-s.
Republika e Kosovës deri më tani nuk ka marrë pjesë në një Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës. Pjesëmarrja e Kosovës në të kaluarën ka qenë në kuadër të aktivitetit “Women, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), të organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në margjinat e Samitit të NATO-s. Ky aktivitet ishte një ngjarje e veçantë, e organizuar paralelisht me samitin, dhe nuk përbënte pjesëmarrje në vetë Samitin e NATO-s.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe shtetet anëtare të saj, si dhe për avancimin e aspiratës së saj strategjike për anëtarësim të plotë në Aleancë.k



