
Ish-veprimtari Valon Murati ka reaguar lidhur me proceset në Dhomat e Specializuara, duke i cilësuar ato si produkt politik dhe relikt i një kohe tashmë të kaluar.
Sipas tij, krijimi i këtyre dhomave erdhi si rezultat i presionit ndërkombëtar dhe lëshimeve ndaj Rusisë e Serbisë, me shpresën se ato do të afronin drejt njohjes së Kosovës.
“Dhomat e Specializuara janë prodhim i një konteksti të caktuar ndërkombëtar dhe presioni të partnerëve të Kosovës të cilët mendonin se me një lëshim tjetër ndaj Rusisë dhe Serbisë, mund të afrohej njohja e Kosovës nga to. Kjo kohë politike ka kaluar, për këtë të gjithë janë të vetëdijshëm, por këto dhoma na mbetën relikt i asaj kohe. Sidoqoftë ato janë një relikt shumë i dëmshëm,” u shpreh Murati.
Ai e cilësoi aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së si një rast krejtësisht politik, të ndërtuar mbi një narrativë të deformuar:
“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndërtuar një narrativë, që i përngjan një bote paralele… se Kosova dhe shqiptarët i kanë pasur punët mirë, por një grusht kriminelësh një ditë të bukur u çuan dhe krijuan UÇK-në… për të marrë pushtet dhe për të luftuar civilët serbë dhe kundërshtarët politikë. Qasje krejt absurde, jashtë realitetit, e shtrembëruese e të vërtetave faktike historike.”
Murati paralajmëroi se nëse aktakuza përfundon me dënime, gjeneratat e ardhshme do të marrin një pasqyrë të rreme për historinë e Kosovës:
“Dhe nëse gjeneratat e reja në Kosovë, dhe jashtë saj, e lexojnë aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar… do të mund të krijojnë një përshtypje krejtësisht të rreme mbi atë që ka ndodhur në Kosovë.”
Ai vlerësoi dëshminë e James Rubin në Hagë si një pasqyrim më të saktë të realitetit politik të kohës:
“Dëshmia e James Rubin-it kishte elemente të qarta të shpërfaqjes së rrethanave reale politike të kohës, krejtësisht të shtrembëruara nga prokuroria.”
Në fund, Murati theksoi paradoksin se drejtësia për krimet e kryera nga Serbia nuk u realizua kurrë, ndërsa ish-udhëheqësit e Kosovës po ndiqen penalisht:
“Ironia më e madhe është se asnjëherë një drejtësi e kënaqshme për këto krime nuk u realizua. Ndërsa prokuroria ndjek ish-krerët e Kosovës, sikur ata të kishin qenë e keqja më e madhe. Po vërtet ishin e keqja më e madhe, por e pushtimit dhe e pushtetit shovinist të Serbisë. Sepse fal atij angazhimi dhe lufte… Kosova sot është e lirë.”



