
Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar zyrtarisht një marrëveshje historike me Arabinë Saudite, për zhvillimin e një programi civil bërthamor, një marrëveshje që mund të hapë edhe mundësinë e ndërtimit të një impianti për pasurimin e uraniumit në territorin saudit.
Kështu raporton e përditshmja amerikane The Wall Street Journal, e cila ka publikuar edhe detaje ekskluzive nga marrëveshja.

Sipas zyrtarëve të administratës amerikane, marrëveshja 30-vjeçare vlerësohet në dhjetëra miliarda dollarë dhe synon t’u japë kompanive amerikane një rol kryesor në ndërtimin e infrastrukturës bërthamore të Arabisë Saudite, duke kufizuar përfshirjen e konkurrentëve të huaj, veçanërisht Rusisë dhe Kinës.
Një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes parashikon që kompanitë amerikane të mund të ndërtojnë një impiant për pasurimin e uraniumit në Arabinë Saudite, nëse një studim i përbashkët SHBA-Arabi Saudite arrin në përfundimin se një hap i tillë është i nevojshëm dhe ekonomikisht i justifikueshëm.
Administrata Trump argumenton se përfshirja amerikane do t’i japë Washingtonit kontroll më të madh mbi zhvillimin e programit bërthamor saudit dhe do të sigurojë që teknologjia të mos përdoret për qëllime ushtarake.
Megjithatë, marrëveshja pritet të përballet me kundërshtime të forta në Kongresin amerikan, ku shumë ligjvënës kanë shprehur shqetësime për përhapjen e teknologjisë bërthamore në një rajon të paqëndrueshëm si Lindja e Mesme.
Bllokimi i marrëveshjes do të jetë i vështirë për Kongresin, pasi një vendim i tillë do të kërkonte një rezolutë të përbashkët dhe një shumicë prej dy të tretash për të kapërcyer një veto të mundshme presidenciale.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet nga sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright dhe ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman. Wright kishte diskutuar këtë çështje gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në rajon në vitin 2025.
Sipas ish-zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Einhorn, marrëveshja mund të forcojë industrinë bërthamore amerikane dhe marrëdhëniet strategjike mes Washingtonit dhe Riadit.
Por nëse nuk përfshin kufizime të mjaftueshme, veçanërisht për pasurimin e uraniumit, ajo mund të rrisë rreziqet e përhapjes bërthamore në Lindjen e Mesme dhe më gjerë”, paralajmëroi Einhorn.
Arabia Saudite prej kohësh argumenton se ka nevojë për një industri bërthamore civile për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të reduktuar varësinë nga nafta për konsum të brendshëm. Autoritetet saudite thonë se synimet e tyre janë vetëm paqësore.
Megjithatë, deklaratat e mëparshme të princit të kurorës Mohammed bin Salman kanë rritur shqetësimet ndërkombëtare. Në vitin 2018, ai deklaroi se nëse Irani do të zhvillonte armë bërthamore, Arabia Saudite do të ndiqte të njëjtën rrugë.
Një nga përfituesit kryesorë të marrëveshjes pritet të jetë kompania amerikane Westinghouse Electric dhe reaktori i saj AP1000, i cili mund të prodhojë rreth 1 mijë e 100 megavat energji elektrike, kapacitet i mjaftueshëm për të furnizuar një qytet të mesëm ose një qendër të madhe të të dhënave për inteligjencën artificiale.
Debati kryesor në Washington do të përqendrohet te masat e sigurisë dhe nëse marrëveshja garanton që teknologjia bërthamore saudite të mos mund të përdoret për zhvillimin e armëve.
Sipas marrëveshjes, reaktorët e rinj dhe teknologjitë e tjera bërthamore do të sigurohen nga kompani amerikane, ndërsa një studim dyvjeçar do të shqyrtojë nëse Arabia Saudite ka nevojë të pasurojë uranium në territorin e saj apo të vazhdojë të importojë karburant bërthamor.
Nëse studimi arrin në përfundimin se pasurimi vendas është i nevojshëm, kompanitë amerikane do të ndërtonin objektin përmes një modeli të quajtur “black box”, i cili do të kufizonte transferimin e teknologjive më të ndjeshme drejt Riadit.
Administrata Trump thotë se ky mekanizëm do të parandalonte përdorimin ushtarak të uraniumit të pasuruar dhe do të garantonte që karburanti i përdorur nga reaktorët të mos mund të ripërpunohet për prodhimin e armëve.
Por kritikët paralajmërojnë se dhënia e aftësive për pasurim uraniumi Arabisë Saudite mund të nxisë një garë bërthamore në rajon.
“Ku shkon Arabia Saudite, aty shkojnë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia dhe Egjipti. Ideja se kjo do të përfundojë mirë është një iluzion”, tha Henry Sokolski, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Edukimin mbi Politikat e Mospërhapjes Bërthamore.
Një tjetër pikë debati lidhet me inspektimet ndërkombëtare. Arabia Saudite ka refuzuar të zbatojë të ashtuquajturin “Protokolli Shtesë” të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i cili do të lejonte kontrolle më të rrepta.
Zyrtarët amerikanë thonë se marrëveshja dypalëshe do të sigurojë monitorim të mjaftueshëm të objekteve të financuara nga SHBA-ja, ndërsa kritikët argumentojnë se ajo nuk garanton hetime të plota për aktivitete të dyshimta jashtë këtyre objekteve.
Marrëveshja vjen në një moment delikat të politikës së jashtme amerikane. Administrata Trump po ushtron presion mbi Iranin për të kufizuar programin e tij bërthamor dhe për të hequr dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të larta.
Kritikët shohin një kontradiktë në faktin që Washingtoni kërkon kufizime të ashpra ndaj Iranit, ndërsa lejon Arabinë Saudite të zhvillojë një program që mund të përfshijë pasurimin e uraniumit.
Administrata Trump kundërshton këtë argument, duke thënë se programi saudit do të jetë nën masa të forta kontrolli.
Sekretari i Energjisë Chris Wright deklaroi se marrëveshja do të respektojë “standardet më të larta të sigurisë bërthamore dhe mospërhapjes”, duke shtuar se ajo do të ndihmojë në ringjalljen e industrisë bërthamore amerikane.
Ndërkohë, disa ligjvënës amerikanë kanë kërkuar që çdo marrëveshje bërthamore me Arabinë Saudite të kërkojë miratim të drejtpërdrejtë nga Kongresi. Një përpjekje e tillë ishte bërë edhe në vitin 2018 nga senatorë demokratë dhe republikanë, mes të cilëve edhe Marco Rubio, i cili sot shërben si sekretar amerikan i Shtetit në administratën Trump.
Megjithatë, përpjekjet për ta vendosur një kufizim të tillë nuk u çuan kurrë në votim, duke e lënë marrëveshjen e re përballë një beteje të vështirë politike në Uashington./Albanian Post



